QEVERIA NDAN 100 MILIONË EURO BUXHET PËR USHTRINË E KOSOVËS, 40 MILIONË PËR TREPÇËN DHE TELEKOMIN

Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë të premte Buxhetin për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro. Me buxhetin e miratuar, 100 milionë euro janë ndarë për ushtrinë, kurse 40 milionë euro për ndërmarrjet publike Trepça dhe Telekomi i Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qeveria të cilën ai e udhëheq, për herë të parë ka ndarë një buxhet prej 100 milionë euro për ushtrinë ndërsa 10 milionë euro të tjera për furnizimin me pajisje moderne për policinë e zjarrfikësit.

“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë euro apo 1.3 për qind të bruto produktit vendor e synimi ynë është që këtë ta sjellim në 2 përqind të bruto produktit vendor”, tha kryeminsitri, transmeton Telegrafi.

“Nga kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri AKP-së, na është mundësuar që ato mjete t’i riorientojmë në ushtri e si rezultat do t’i rekrutojmë 840 ushtarë të rinj”, është shprehur Kurti në mbledhjen e qeverisë

Me buxhetin e ri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se janë ndarë 40 milionë euro për financimet në dy ndërmarrjet publike, Trepça dhe Telekomi i Kosovës.

“40 milionë euro të tjera i kemi ndarë për financimet në Trepçë e Telekom ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenie”, është shprehur Kurti.

Kryeministri Albin Kurti u zotua se me dhjetë milionë euro të ndara do të furnizojnë policinë dhe zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta. /Telegrafi/