QKRMT: MARRËVESHJA ME DANIMARKËN PËR TË BURGOSURIT KËRKON DEBAT PUBLIK

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thekson se me vëmendje ka përcjellë zhvillimet e fundit për përgatitjen e Marrëveshjes e cila pritet të nënshkruhet nga Ministria e Drejtësisë me Mbretërinë e Danimarkës për transferimin e 300 të burgosurve në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

 

Pas analizës mbi gjendjen aktuale në trajtimin e personave të privuar nga liria, QKRMT u bën thirrje autoriteteve të Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë që të shqyrtojë implikimet mbi të drejtat e njeriut në Kosovë. “Përkundër përmirësimeve të kushteve të vendosjes, sidomos në vitet e fundit pas hapjes së tri  institucioneve të reja korrektues (Burgut të Sigurisë së Lartë, Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë dhe Qendrës së Paraburgimit në Gjilan), QKRMT konsideron se me vendosjen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, atëherë ri-sistemimi i 200 të burgosurve që momentalisht gjenden në këtë Qendër, do të rezultonte në mbipopullimin dhe përkeqësimin ekushteve në qendrat tjera korrektuese”, thuhet në reagim.

“Sipas Ministrisë së Drejtësisë, brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të akomoduar përafërsisht 700-800 të burgosur dhe të paraburgosur, gjë që bie ndesh me gjetjet tona të faktuara pas vizitave monitoruese. Hapësira të cilës i referohet Ministria e Drejtësisë do të ishte e disponueshme vetëm nëse të gjitha kapacitetet e qendrave të paraburgimit (pavijonet, blloqet, krahët) të ishin funksionale.

Gjithashtu, hapësirat e mundshme që mund të identifikohen brenda shërbimit korrektues duhet të vlerësohen në bazë të kategorisë së të burgosurit përpara se të bëhet një transferim i tillë, pasi që vendet e lira në institucionet korrektuese, të cilave iu referohet Ministria e Drejtësisë janë brenda institucioneve specifike, gjë që është e pamundur që të transferohen të paraburgosurit nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan”, thuhet më tej.

QKRMT kërkon debat më të gjerë publik rreth kësaj Marrëveshje për të diskutuar implikimet ligjore dhe të sovranitetit që ndërlidhen me juridiksionin ekstra-territorial të autoriteteve daneze në vendin tonë.

“Nëse institucionet tona nuk do të mund të ushtrojnë autoritetin e tyre në respektimin e të drejtave dhe lirive për të gjithë individët brenda kufijve të saj, atëherë mbetet për t’u vlerësuar nëse Marrëveshja cenon sovranitetin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 1, paragrafi 2) ‘Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj’”, thuhet më tej. “QKRMT konsideron se institucionet e Kosovës së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë kanë punuar shumë për të përmirësuar kushtet e burgjeve dhe për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare. Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet të marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe të sigurohet që nënshkrimi i kësaj marrëveshje dypalëshe nuk do t’i bënte dëm progresit drejt avancimit të të drejtave të njeriut në Kosovë”, përfundon reagimi.