REFUZUAN TË PËRSHËNDETEN, PASTAJ RRIHEN – GJYKATA CAKTON MASËN PARABURGIM PËR DY PERSONA

Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës me nga një muaj paraburgim ndaj shtetasve kosovarë F.V. dhe V.V., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Rasti ka ndodhur më 1 gusht 2021 në një lokal në Kaçanik, kur të pandehurit në bashkëkryerje me të B.V., për momentin në arrati, kanë përdorur force fizike ndaj të dëmtuarve Q.T., Gj.T. dhe A.T., në atë mënyrë që përderisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në lokal, aty shkojnë të pandehurit ku fillimisht i pandehuri B.V. ia kishte zgjatur dorën për t’u përshëndetur Q. T., por i njëjti kishte refuzuar dhe si shenjë hakmarrje e godet me kokë në ballë, e pas tij edhe i pandehuri F.V. e kishte goditur me shishe të birrës në kokë.

Gjatë përleshjes kishte ndërhyrë Gj. T. dhe A.T., por Gj.T. e kishte goditur i pandehuri V.V. me grusht, shishe dhe gotë të qelqit në hundë, ku si pasojë e goditjeve të dëmtuarit pësojnë lëndime të rënda trupore, për të cilat posedojnë raporte mjekësore.

Palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij./KP