RRAHJE PAS MOSMARRËVESHJES NË TRAFIK, PESË PERSONA TË LËNDUAR

Disa persona janë përfshirë në një rrahje në hyrje të autostradës në fshatin Trudë të Prishtinës, ku si pasojë janë lënduar pesë persona.

Rasti ka ndodhur dje pasdite ku njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar pesë viktima meshkuj kosovar të lënduar të cilët kishin qenë me dy automjete me targa vendore.

“Viktimave në vendin e ngjarjes iu ka ofruar ndihma mjekësore, ndërsa katër prej tyre janë dërguar në QKUK dhe mbeten për tretman mjekësor. Sipas viktimave pas një mosmarrëveshje në trafik ishin sulmuar fizikisht nga tre persona të dyshuar të cilët kishin qenë me dy vetura me targa të huaja dhe pas sulmit të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një thikë dhe një vegël pune të cilat dyshohet se ishin përdorë në rast. Rasti vazhdon të hetohet./KP