RRGK KËRKON DËNIMIN MAKSIMAL TË FAJTORËVE PËR VRASJEN E 18-VJEÇARES

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së vajzës 18 vjeçare e cila u la pa shenja jete në qendrën emergjente të Ferizajt, duke thënë se kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave.

Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si ‘’vrasje e rëndë’’, dhe deri më tani është arrestuar një i dyshuar, kurse i dyshuari i dytë gjendet në arrati.

Sipas RrGK-së, ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave.

“Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave. Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve. Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurrfarë llogaridhënie? Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal. Po ashtu, përmes kësaj kumtese njoftojmë se RrGK do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend. Njëherit, u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë, kurse mediave u bëjmë thirrje që të raportojnë duke pasur në qendër të vëmendjes ruajtjen e dinjitetit të viktimës – vetëm në këtë mënyrë secili prej nesh do të luajmë rolin që na takon në luftimin e pakusht të vrasjes së vajzave dhe grave”, thuhet në reagimin e RrGK-së, ku theksohet se kjo organizatë nuk do të ndalet derisa vrasjet e vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private. /KP

The post RRGK KËRKON DËNIMIN MAKSIMAL TË FAJTORËVE PËR VRASJEN E 18-VJEÇARES appeared first on Dielli News.