RRUGËTIMI I MEMLI KRASNIQIT DERI NË KRYE TË PDK-SË

Memli Krasniqi pritet për pak të marrë “timonin” e PDK-së.

Në Konventën që po mbahet deri më tani ka vetëm një kandidat dhe ai është Memli Krasniqi.

Ai ka marr mbështetjen e të gjitha strukturave të partisë, madje po vlerësohet si njeriu më i duhur për të udhëhequr me partinë në këto momente kur themeluesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli gjendet në Hagë.

Por, kush është Memli Krasniqi?

Memli Krasniqi u lind në Mitrovicë më 25 janar 1980 ku ka kryer shkollimin fillor në shkollën fillore “Hasan Prishtina” dhe atë të mesëm në Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).

Në vitet 1999 – 2000 ka punuar si gazetar për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.

Për shumë vite është marrë me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore, kryesisht si tekst-shkrues dhe si anëtar i grupit “Ritmi i Rrugës”.

Nga viti 2004 është angazhuar aktivisht në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK),

Në tetor të vitit 2006 është zgjedhur Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës.

Nga ky pozicion, ai ka qenë edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së. Në shkurt të vitit 2013, Krasniqi është zgjedhur Nënkryetar i PDK-së për Çështje Organizative dhe të Rinisë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, Memli Krasniqi është zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Suksesi më i madh i tij në politikë është të qenit Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sport, e po ashtu edhe Ministër i Bujqësisë.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit ai u rizgjodh për herë të gjashtë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe është shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Është ndër dhjetë personat më të votuar në PDK.

Memli Krasniqi jeton në Prishtinë, me bashkëshorten Melizën dhe fëmijët Borën, Malin dhe Verën./KP