KAQ DOZA VAKSINA DHURON NORVEGJIA PËR KOSOVËN

Norvegjia do të japë donacion për Kosovën më shumë se 180.000 doza të vaksinës kundërCOVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Twitter të faqes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Ministrja e Jashtme norvegjeze Ine Marie Eriksen Søreide, ka thënë se Kosova mund të varet në Ekipin e Evropës, dhe se vendimi për donacion është marrë pas bashkëpunimit të mirë me Miroslav Lajçak, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Një javë më parë, në Kosovë ka nisur fushata e vaksinimit masiv kundër koronavirusit dhe deri më tani të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 141.008 persona.

Kosova është duke vaksinuar popullatën me vaksinat e pranuara nga Bashkimi Evropian dhe programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në muajin maj, autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se kanë nënshkruar një kontratë me Pfizer, për blerjen e mbi 1 milion dozave të vaksinës./KP /DN