SHAQIRI: ITALIA E MANCINIT ËSHTË BËRË SPEKTAKOLARE

Xherdan Shaqiri thotë se është i lumtur që ta takojë ish-trajnerin e tij te Interi Roberto Mancinin përsëri, ndërsa Zvicra përballet me Italinë në Euro 2020.

Ndeshja e Grupit A zhvillohet të mërkurën nga ora 21.00 në “Stadio Olimpico” në Romë.

“Mezi pres të luaj këtë lojë dhe gjithashtu nuk mund të pres të shoh Roberton nesër,” tha Shaqiri në konferencën e tij për shtyp.

“Ai është një njeri i shkëlqyeshëm dhe unë jam i lumtur për të që gjërat po shkojnë kaq mirë. Italia është një ekip i shkëlqyeshëm, ndër favoritët për të fituar këtë kampionat evropian. Ne pamë mënyrën se si luajti Italia në ndeshjen e parë kundër Turqisë dhe Mancini provoi se ai është një trajner i shkëlqyeshëm. ”

Derisa Italia fitoi ndaj Turqisë me rezultat 3-0, Zvicra u ndal në barazim 1-1 nga Uellsi, përcjellë KosovaPress.

“Ne krijuam disa raste të mira kundër Uellsit dhe patëm mundësitë për të fituar, por padyshim që nuk ishte paraqitje e përsosur dhe ne mund të përmirësohemi. Ne duhet të jemi më klinikë brenda zonës.”, theksoi Shaqiri.

“Do të jetë një lojë shumë ndryshe, pasi Italia do të dalë dhe do të na sulmojë. Kjo nuk është më Italia që tradicionalisht përqendrohej në mbrojtje, pasi skuadra aktuale është spektakolare, duke luajtur një stil shumë sulmues dhe duke shijuar futbollin e tyre.”

“Ata gjithashtu kanë nëntë ndeshje pa pësuar gol radhazi dhe kjo tregon se sa të fortë janë.”

“Është një ekip shumë i ekuilibruar, i aftë të sulmojë dhe të mbrojë. Ata mund të mos kenë yjet e mëdhenj të së kaluarës, si Andrea Pirlo, por ata luajnë mirë së bashku dhe Mancini ka bërë një punë të shkëlqyeshme. “/KP