SHQETËSUESE: NË 24 ORËT E FUNDIT, NË KOSOVË 21 FËMIJË NËN MOSHËN 10 VJEÇE U INFEKTUAN ME COVID-19

Ashtu siç edhe kanë paralajmëruar epidemiologët, infektologët dhe ekspertët e shëndetësisë, vala e re infektimeve me COVID-19, në të shumtën e rasteve varianti Delta, po atakon më shumë personat e moshës së re.

Sipas raportit të sotëm më Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga 1, 096 rastet e reja të konfirmuara me COVID-19 në 24 orët e fundit, 672 janë të moshës nën 40 vjeç, raporton Telegrafi.

Numri më i madh i të infektuarve i përket grupmoshës 20-29 vjeç, përkatësisht 332 raste të reja. Po ashtu, 210 persona të grupmoshës 30-39 vjeç janë infektuar në 24 orët e fundit.

Ndërsa, 109 të  infektuar janë të moshës nga 10-19 vjeç.

Shqetësuese është se në mesin e të infektuarve në 24 orët e fundit janë 21 fëmijë të moshës prej 0-9 vjeç.

Në 24 orët paraprake, sipas raportit ditor, janë shëruar edhe 53 qytetarë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106,109.

Raste aktive me coronavirus në Kosovë aktualisht janë 7,854.

Sipas të dhënave, prej 13 marsit 2020 deri më 15 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 115,151 raste me COVID-19, ku 2,280 kanë përfunduar me fatalitet.

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se 11 pacientë me COVID-19 janë në gjendje të rënduar shëndetësore që po trajtohen nëpër spitalet e Kosovës.

Sipas raportit ditor të SHSKUK-së, 325 pacientë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar në klinikat COVID dhe spitale të përgjithshme. /Telegrafi/