SHQIPE SELIMI: NË HAP ME SAKRIFICAT E KOMBIT, JEMI KRENARË ME TY REXHË

Rexhep Selimi, njëri nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po gjykohet në Hagë pasi më 26 tetor 2020 ndaj tij u konfirmuan akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

 

Më 4 nëntor të vitit të kaluar ai kishte njoftuar se do të nisej për Hagë.

“Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, kishte thënë ai ndër të tjera.

Një vit më pas, familjarët shprehin krenarinë për veprën e tij.

Bashkëshortja e tij, Shqipe Mehmeti-Selimi, deputete e Kuvendit të Kosovës nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook, flet për sakrificat dhe krenarinë.

“Në hap me sakrificat e Kombit! Jemi krenarë me ty Rexhë!”, shprehet ajo.

Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që është konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas Selimit, në fund të këtij procesi do të binden të gjithë se “as unë e as Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”.

Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Sekretari i Gjykatës që kishte lexuar dhjetë pikat e aktakuzës kishte thënë se ekziston dyshimi i bazuar se Selimi mban përgjegjësi penale për kryerjen e këtyre krimeve.