SHQIPTOHEN 257 GJOBA PËR MOSRESPEKTIM TË MASAVE ANTI-COVID

Policia e Kosovës në 24 orët e fundit ka shqiptuar 257 gjoba ndaj qytetarëve që nuk respektuan masat e vendosura nga qeveria, përmes të cilave synohet mbrojtja dhe parandalimi i përhapjes së virusit korona.

 

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, veçanërisht variantit të ri Omicron, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa të reja, të cilat kanë hyrë në fuqi të hënën e javës së kaluar.

Në kuadër të këtyre masave, të gjithë personat mbi 12 vjeç do të duhet që t’i ofrojnë dëshmitë e vaksinimit me dy doza për udhëtim me mjetet e transportit publik dhe atij privat, si dhe për hyrje në qendrat tregtare dhe lokalet e gastronomisë.

Gjithashtu, që nga 3 janari dëshmitë e vaksinimit të plotë do t’u kërkohen të gjithë udhëtarëve që hyrje në Republikën e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një konferencë për media ka thënë se këto masa janë marrë pas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe gjendjes epidemiologjike në botë.