SHTETI NUK PO I KOMPENSON DËMET E SHKAKTUARA NDAJ PACIENTËVE

Edhe pse ligji obligon, institucionet shëndetësore nuk e kanë krijuar fondin për kompensimin e pacientëve. Po të njëjtat nuk e kanë kompensuar materialisht asnjë pacient për dëmet e shkaktuara gjatë trajtimit. Rastet e pakta të dëmshpërblimit janë pas ndjekjes së procedurave gjyqësore. Shoqata e Pacientëve e ka dërguar këtë çështje edhe tek Avokati i Popullit, por që nga viti 2019 nuk ka marrë përgjigje. Ndërsa, nga partia në pushtet zotohen se do të adresojnë këto çështje në kuadër të legjislacionit.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra thotë se institucionet shëndetësore nuk i plotësojnë kushtet për shërbime të tilla. Sipas tij, shteti nuk është i gatshëm që të kompensojë pacientët të cilët kanë pësuar nga sistemi shëndetësor.

Kodra: Gjykatat po ua pamundësojnë vërtetimin e ankesave të pacientëve

“Ankesa të tilla ka por jo shumë për faktin se fillimisht duhet të vërtetohet se pacientit iu është shkaktuar dëmi pastaj ai të kërkojë dëmshpërblim. Fakti se gjykatat janë azhure në vërtetimin e ankesave të pacientëve dhe atëherë pacientëve po u pamundëson kërkesën për dëm që i është shkaktuar në rast të gabimeve mjekësore… Dy vitet e fundit janë përzier edhe me pandemi, kërkesat për dëmshpërblime kanë qenë shumë më të vogla sesa paraprakisht. Mirëpo, në vitin 2016, 2017, 2018, kemi pasur mjaft raste të tilla që ne i kemi udhëzuar në gjykatë. Për shkak se procedurat administrative në vërtetimin e shkeljeve që i janë bërë pacientëve janë shumë jo komunikatave, jo të rregulluara mirë”, thotë Kodra për KosovaPress.

Ato pak raste të dëmshpërblimit ndaj pacientëve kanë qenë të procedurave gjyqësore, por jo edhe ato administrative.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Haxhi Avdyli thotë për KosovaPress se janë duke punuar për bazë më të mirë ligjore, meqë pohon se e drejta e qytetarëve për kompensim nuk është zbatuar.

Avdyli: Ne jemi të vetëdijshëm që dëmet gjatë punës janë prezentë

“Ne si Kuvend dhe si komision i marrim me seriozitet të gjitha këto lajmërime apo sinjalizime për dëmet që ndodhin. Ne jemi të vetëdijshëm që dëmet gjatë punës janë prezente dhe nuk pretendojmë që kirurgët tanë do të jenë ata që nuk do të kenë kurrfarë komplikacione sepse, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në çdo shtet, ka këso dëmtime, por ne do të mundohemi që përmes ligjeve t’i adresojmë në mënyrën më të drejtë të mundshme… Ne si komision do ta rishikojmë sepse gjatë këtij viti do të jetë legjislacioni në riamandamentim dhe do ta kemi pacientin në qendër”, shprehet Avdyli.

 

Madje, sipas tij, as edhe ato raste që kanë hapur raste gjyqësore, nuk kanë pasur baza të qartë ligjore se si të adresohen.

Avdyli: Ka munguar edhe baza e qartë ligjore dhe si duhet të adresohen

“Rastet e shumta janë adresuar edhe në gjykata. Gjykatat shpeshherë nuk kanë qenë shumë azhure për adresimin e këtyre ankesave apo këtyre dëmtimeve të pacientëve dhe në këtë drejtim ndoshta ka munguar edhe baza e qartë ligjore se si duhet të adresohen. Mendoj që kjo gjithmonë duhet të shikohet në mënyrë profesionale, në atë mënyrë që nga ekipet e ndryshme profesionale të vlerësohet nëse ky gabim ka qenë gjatë punës. Ka qenë gabim i neglizhencës apo ka qenë një reaksion i pavullnetshëm që mund të ndodhë gjatë punës”, thekson ai.

Kompensimi i pacientëve është i garantuar me Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor që nga viti 2004 (38/2004).

Bazuar në këtë ligj, Kodra thotë se asnjë institucion shëndetësor publik nuk mund të fillojë punën pa paguar taksën për përgjegjësinë institucionale. Megjithatë, kjo nuk po ndodhë në Kosovë.

Kodra: Institucionet shëndetësore kanë bërë shkelje

“Duhet të krijohet një fond në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili kompenson pacientët që kanë pësuar dëm. Institucionet shëndetësore private nuk mund të licencohen pa paguar taksën për përgjegjësi profesionale në një kompani të sigurimit, e cila do të duhej të kompensonte pacientët në rast se pësojnë dëm në institucione. MSH e ka bërë një shkelje me licencimin e institucioneve private pa e paguar këtë taksë. Shkelja e dytë është se i ka lëshuar institucionet shëndetësore publike në punë pa paguar taksën për përgjegjësi profesionale dhe pa krijuar fondin në Ministrinë e Shëndetësisë… Kemi bërë ankesë te Avokati i Popullit për shkak se MSH nuk ka qenë azhure në trajtimin e kërkesave tona dhe prej vitit 2019 deri më tani nuk ka kthyer përgjigje. Nëse edhe Avokati i Popullit po shkel të drejtat e pacientëve, në këtë vend është shumë vështirë me gjet një institucion që nuk i shkel”, shton ai.

Për këtë është pyetur zyra e Avokatit të Popullit se sa raste të ankesave të tilla kanë trajtuar dhe pse nuk kanë reaguar me kërkesën e Shoqatës së Pacientëve, por nuk kanë pasur gatishmëri të përgjigjen.

Në një përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se për dëmin e pretenduar dhe kërkesat për kompensimet materiale duhet të përgjigjen gjykatat.

“Pacientët i paraqesin ankesat e tyre në linjën falas në Inspektorat Shëndetësor. Por për kompensime nuk bëhen ankesa sepse nuk ka mekanizëm që e mundësojnë atë për ta. Për këtë arsye, kontesteve ku dikush kërkon kompensim material për dëmin e pretenduar përgjigjen me reale mund t’ua japin gjykatat”, ka thënë Hoti për KosovaPress.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë për numrin e rasteve gjyqësore që janë trajtuar në lidhje me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, Kosova që 17 vjet ka vetëm të miratuar ligjin që parasheh kompensimin material të pacientëve, por që i njëjti nuk po implementohet. /KP