SHUHET ZJARRI NË KARABURUN DHE LLOGARA, JANË EDHE 9 VATRA AKTIVE

Shuhen vatrat e zjarrit në Karaburun, pas shumë ditësh luftë në terren me flakët dhe ndërhyrjeve nga ajri, por situata problematike është zhvendosur në veri.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se ende janë 9 vatra aktive, duke kërkuar kujdes të shtuar nga ana e pushtetit vendor.

Pas më shumë se dy javësh betejash të pandërprera me flakët, mesditën e kësaj të mërkure, Karaburuni nuk kishte asnjë vatër zjarri aktive.

Fikja e vatrave të zjarrit ka parandaluar edhe shtrirjen e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Në këtë betejë të zhvilluar ditë dhe natë, u angazhuan me qindra persona, zjarrfikës, efektivë të Forcave të Armatosura punonjës të Njësive Administrative, por edhe vullnetarë dhe banorë të zonës.

Ndihma nga ajri ishte një tjetër faktor që ka ndihmuar në shuarjen e vatrave të shumta që për më shumë se dy javë dogjën qindra hektarë bimësi në gadishullin e Karaburunit.

Ndërkohë, vatrat e zjarrit vijojnë të jenë ende aktive në zona të tjera të vendit. Zona mbi tunelin e Kalimashit në Kukës si dhe disa Njësi Administrative në Lezhë dhe Berat kanë paraqitur problematika me disa vatra zjarri që kanë shpërthyer menjëherë duke iu afruar zonave të banuara, por që fatmirësisht janë mbajtur nën kontroll dhe vijojnë të monitorohen në vazhdimësi.

Vatra zjarri të cilësuara si të qëllimshme janë shfaqur edhe përgjatë Luginës së Valbonës pranë fshatit Dragobi, ku policia ka shpallur në kërkim dhe një person të dyshuar si zjarrvënës.

https://youtu.be/E_EGKVrdBTU/KP