VAKSINOHET MAJK, IU BËN THIRRJE FANSAVE: VAKSINOHUNI NËSE DONI TË DILNI NË KLUBE NATE

Reperi i njohur shqiptar, Majk, ka bërë të ditur së fundmi se ka marrë vaksinën anti-COVID.

Përmes disa imazheve të publikuara në rrjetet sociale, interpretuesi i hitit “S’jena mo” ka treguar se tashmë ka marrë dozën e parë të vaksinës në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Ai publikoi një fotografi nga momenti i injeksionit, ku shihet me një maskë të zezë në fytyrë, teksa i buzëqeshte kamerës dhe e quante “punë të përfunduar” marrjen e vaksinës në mbishkrimin e fotografisë.

Tutje, ai ndau me fansat në InstaStory edhe një tjetër imazh, ku shfaqte njerëzit në rendin e pritjes në qendrën e vaksinimit në kryeqytet.

Në mbishkrimin e fotografisë, reperi u kërkoi ndjekësve të tij që të ndërgjegjësohen sa më shpejt për marrjen e vaksinës dhe të mos neglizhohet si proces, aq më tepër kur Kosova këto ditë po përballet me rritje enorme të rasteve të reja me COVID-19.

“Merrini vaksinat, nëse doni të dilni në klube të natës”, ka shkruar Majk në mbishkrimin e fotografisë.

I njëjti po vazhdon të jetë mjaft aktiv me koncerte të shumta gjatë verës, duke shijuar suksesin e hitit “Marr”, të cilin e publikoi në bashkëpunim me kolegun e tij, Ledri Vula. /Telegrafi/