VDEKJA E KATËR TURISTËVE RUSË NË SHQIPËRI, PO VLERËSOHEN AVUJT E ÇLIRUAR NGA KLORI I HEDHUR NË UJË

Kur kanë kaluar thuajse dy muaj, vdekja e 4 shtetasve rusë në Qerret të Kavajës vazhdon te jetë e mbuluar nga misteri.

Ndonëse ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se vdekja erdhi nga asfiksia, shkaqet e saj janë ende të pazbuluara.

Ndaj grupi hetimor i përforcuar dhe me ekspertë të tjerë ka mbërritur të premten pranë resortit për të kryer një eksperiment hetimor që synon zbardhjen e misterit të vdekjes së 4-fishtë në resortin turistikë ku viktimat, familjarë me njëri -tjetrin po qëndronin.

I gjithë resorti është rrethuar me shirit policor për të mbajtur larg klientët dhe kureshtarët e rastit. Eksperimenti po kryhet në ambientet e pishinës së brendshme të hotelit ku më 15 tetor u gjetën të vdekur bashkëshortët Sergei dhe Natalia, si dhe vajza e tyre Ekaterina me bashkëshortin Nikita.

Hetues dhe ekspertë janë kthyer në vendngjarje për të krijuar të njëjtat kushte në ambientet e pishinës, të njëjtën temperaturë dhe nivel të klorit në ujin e saj, për të kuptuar nëse këta faktorë krijojnë kushte për të çuar në asfiksi vdekjeprurëse 4 persona njëkohësisht.

Përmes këtij eksperimenti do të vlerësohet efekti i avujve të çliruar nga klori në ujë dhe temperatura e ambientit, efekt ky që nuk u llogarit menjëherë pas ngjarjes.

Turistët rusë humbën jetën në pishinën e hotelit ku po pushonin pas kthimit nga një udhëtim në Ohër të Maqedonisë së Veriut./Telegrafi