VDES NË QKUK 5-VJEÇARJA QË U GODIT DY JAVË MË PARË

Këmbësorja 5-vjeçare që u godit nga një veturë pasditen e 14 qershorit në Stagovë të Kaçanikut ka vdekur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Me datën 14:06.2021 rreth orës 20:07 në fshatin Stagovë të Kaçanikut , ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, e përfshirë një automjet civil i udhëtarëve, i drejtuar nga L.D (M/K/SH) 51 vjeçar dhe një këmbësor , S.M (F/K/SH) 5 vjeçare. Drejtuesi i automjetit është zyrtar policor, në momentin e aksidentit , ai ishte jashtë detyre. Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Golf me targa vendore, po qarkullonte nga drejtimi i lagjes ‘’Dashi’’ në drejtim të magjistrales, në rrugën ‘’Ekrem Gudaqi ‘’ të fshatit Stagovë, ndërsa këmbësorja, ishte duke lëvizur prej anës së djathtë për të kaluar në anën e majtë të kësaj rruge, ku në atë moment, me pjesën e përparme, goditet nga automjeti Golf, ku i shkakton lëndime të rënda trupore. Drejtuesi i automjetit, këmbësoren e lënduar e dërgon në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Kaçanikut. Pasi merr ndihmën e parë mjekësore aty, e njëjta dërgohet për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Sot, me datën 29.06.2021, në ora 05:37, jemi njoftuar nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, se këmbësorja S,M e cila ishte duke u trajtuar në repartin intenziv, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore në këtë aksident , e njëjta ka ndërruar jetë”, njofton policia nëpërmjet një komunikate për media.

Tutje në komunikatë thuhet se “Në ditën e aksidentit, menjëherë është njoftuar Inspektorati i Policisë së Kosovës, i cili ka rekomanduar për suspendim e përkohshëm të policit të involvuar në këtë aksident, ndërkaq me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i njëjti ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë, për të kaluar në procedurë të rregullt pastaj”.

Me vendim të Prokurorit të rastit, sot trupi e pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Rasti është në procedurë të mëtejme hetimore./KP