VELA-HOTIT: RENDI KUSHTETUES CENOEHT NGA NJË KRYEMINISTËR JOKUSHTETUES

Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, i ka reaguar deklaratës së ish-kryeministrit, Avdullah Hoti, i cili tha se rendi kushtetues nuk cenohet nga Shtëpia e Bardhë si përgjigje ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila në Kuvend tha se pranimi i moratoriumit njëvjeçar në Washington për të mos lobuar për njohje të reja “ka cenuar rendin kushtetues të vendit”.

 

Vela tha se rendi kushtetues u cenua nga një “kryeministër jokushtetues”, njofton Klan Kosova.

“Rendi kushtetues nuk është cenuar nga Zyra Ovale por nga politikanë të papërgjegjshëm si Hoti. Nga kryeministri jokushtetues i Kosovës nuk mund të presim respektim te Kushtetutës dhe të drejtës së patjetërsueshme të Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”.

Vela tha se derisa Hoti ia ka fikur dritat politikës së jashtme, presidentja Osmani e ka kthyer në binarë atë duke e forcuar aleancën me SHBA-ja.

“E gjithë kjo është arritur pa bërë kompromis me kapësit e shtetit dhe pa shtyrë përpara ide të dëmshme për vendin. Raportet me SHBA-të nuk shtyhen përpara nga politikanë të tillë të papërgjegjshëm dhe të paditur, por nga përfaqësues që mbrojnë aleancat tona dhe interesat e shtetit të Kosovës njëkohësisht”.