VENDOSET DEFIBRILATOR NË STACION TË AUTOBUSËVE NË PRISHTINË

Një defibrilator është vendosur në Stacionin e Autobusëve në kryeqytet.

 

Sipas njoftimit nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në kuadër të projektit për vendosjen e defibrilatorëve nëpër institucionet publike në Prishtinë, një është vendosur edhe në NPL “Stacioni i Autobusëve”.

“Kështu kjo Ndërmarrje Publike bëhet e para në Kosovë e pajisur me këtë aparaturë emergjente me qëllim të kujdesit shëndetësor ndaj udhëtarëve që marrin shërbimeve në Stacionin e Autobusëve. Defibrilatorët janë instrumente që përdorin rrymën elektrike dhe përdoren për të goditur zemrën duke shkarkuar rrymë në gjoks për rikthimin e ritmit të zemrës, si dhe gjatë arresteve kardiake”, thuhet në njoftim.

Ahmeti ka thënë se sipas statistikave në Evropë ka afro 700 mijë raste të arrestit kardiak.

“Vetëm 5-10 % i mbijetojnë transferimit deri në spital. Reanimacioni i hershëm dhe defibrilimi i shpejtë (në kuadër të 1 – 2 minuta) mund të rezultojë me mbi 60 % mbijetesë”, ka thënë ai.