VON DER LEYEN: AFGANËVE T’U OFROHET MUNDËSI AZILI

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bën thirrje për një zgjidhje ndërkombëtare për refugjatët, përpara samitit të G7-s mbi situatën në Afganistan.

“Është e rëndësishme që të gjitha shtetet e përfshira në misionin në Afganistan të sigurojnë kuota të mjaftueshme për zhvendosje dhe rrugë të sigurta në mënyrë që ne të marrim ata që kanë nevojë për mbrojtje”, tha Der Leyen, në një intervistë ekskluzive për DPA-në.

Duke folur për shtypin, për herë të parë që kur talebanët morën pushtetin pas tërheqjes së trupave të NATO-s nga Afganistani, politikania gjermane e qendrës së djathtë tha se ishte e nevojshme për të parandaluar që njerëzit të mos binin në duart e kontrabandistëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore.

“Sepse kjo i vë afganët që duan të ikin nga konflikti në të njëjtin rrezik”, theksoi ajo, raporton ATSh.

Udhëheqësit e vendeve të G7-s – BM, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe SHBA – planifikojnë një video-konferencë javën e ardhshme për të diskutuar se si të veprohet.

Përfaqësuesit e lartë të BE -së gjithashtu përfshihen zakonisht në takime të tilla.

Bashkimi Evropian pret një rritje të ndjeshme të numrit të njerëzve që duan të largohen nga Afganistani.

“E gjithë kjo është një tragjedi për popullin e Afganistanit dhe një pengesë serioze për bashkësinë ndërkombëtare”, tha von der Leyen./KP