VV: NË 6 MUAJT E QEVERISË KURTI U BËNË SHUMË PUNË TË MIRA PËR QYTETARËT

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se në 6 muajt e parë të qeverisjes së saj në pushtet janë bërë shumë punë të mira e janë marrë vendime që prekin direkt jetën e qytetarëve, si dhe është rritur ndjeshëm besimi qytetar mbi institucionet e vendit.

Kjo parti në një postim në Facebook ka shkruar se një gjë të tillë e konfirmon edhe raporti i fundit i UNDP-së.

Sipas raportit të UNDP-së, kënaqshmëria e qytetarëve me qeverisjen Kurti ka shënuar rritje 37 për qind në raport me qeverisjen e kaluar. Me Qeverinë Kurti sipas këtij raporti, 59.1 për qind e qytetarëve janë shprehur të kënaqur, ndërsa me qeverisjen e kaluar kjo shifër ishte dukshëm më e ulët ose 21.3 për qind.

Me kryeministrin Kurti po ashtu ka rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve, ose 59 për qind, që paraqet një rritje prej 37.7 për qind krahasuar me kryeministrin e kaluar.

Sa i përket indeksit të demokracisë, ka rritje me 19.6 për qind gjatë qeverisjes aktuale në krahasim me atë të kaluarën, sikurse edhe sa i përket indeksit të besimit ekonomik, ku ka një rritje prej 77.4 për qind në raport me qeverisjen e kaluar.

“Së bashku do të qeverisim mbarë dhe Republikën e Kosovës do ta bëjmë vend të jetueshëm e me mirëqenie për të gjithë ku krimi e korrupsioni do të jenë pjesë e së kaluarës”, shkruan Vetëvendosje./KP