XHAÇKA: SHQIPËRIA, AVOKATJA MË E PAKOMPROMIS E KOSOVËS

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mirëpriti sot në Tiranë zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla–Schwarz.

 

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Xhaçka u shpreh se, “ky takim vjen në një momentum të ri për dy vendet”.

Xhaçka shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës.

“Ngritja e një Sekretariati të përbashkët është kyçe për realizimin e marrëveshjeve”, tha Xhaçka, e cila shtoi se, “përparësi është anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare”.

Gjithashtu Xhaçka nënvizoi se, “koordinimi në kuadër të diplomacisë ekonomike është nevojë parësore për të dy vendet”.

Po ashtu, Xhaçka u shpreh se, “vendosëm të promovojmë konkursin fotografik “Colors of Albania”, duke shtuar se, “konkursi do të hapet në nëntor në Shqipëri”.

Xhaçka theksoi se, “Shqipëria është avokatja më e pakompromis e Kosovës”.

“E ardhmja e Kosovës është e lidhur ngushtë me të ardhmen e Shqipërisë”, tha Xhaçka, teksa shtoi se, “Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për Kosovën me BE”.

“Duke mbështetur Kosovën, ne mbështesim Shqipërinë e shqiptarët”, tha Xhaçka.