ZGJEDHJET DHE TAKTIKAT E PËRDORURA PRITET TA ZVARRISIN DIALOGUN KOSOVË-SERBI (VIDEO)

Zgjedhjet lokale në Kosovë dhe zgjedhjet presidenciale në fillimin e vitit të ardhshëm në Serbi, pritet ta zvarrisin dialogun Kosovë-Serbi. Përkushtimi ndaj proceseve zgjedhore po konsiderohet se do të jetë më i madh nga palët, sesa dialogu. Ndërkohë, si arsye tjetër për mos arritjen e një marrëveshje finale gjatë këtij viti po konsiderohet edhe taktikat që po përdorin dy palët.

Deputetja opozitare nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj thotë për KosovaPress, se kryeministri Kurti nuk është i interesuar të merret me dialog, pasi fokusin e ka në zgjedhje lokale.

Sipas saj, dialogu është një temë e nxehtë dhe Kurti nuk po dëshiron të merret me këtë, pasi frikësohet se do të humb vota në zgjedhje lokale.

Kadrijaj: Kurti fokusin e ka në zgjedhje lokale, jo në procesin e dialogut

Audio:

“Ju e dini që ende nuk ka platformë të diskutimeve, kjo po bëhet me qëllim, pasi Kurti në Bruksel po bënë populizëm. Po shihet se nuk është i interesuar të merret me dialogun, pasi janë zgjedhjet lokale dhe nuk dëshiron të hyjë thellë në dialog, në mënyrë që mos t’i ulet imazhi dhe të merret me një temë e cila është e nxehtë. Unë mendoj që zotëri Kurti fokusin e ka në zgjedhjet lokale dhe jo në procesin e dialogut”, thotë ajo.

Përveç zgjedhjeve në dy vendet, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), thotë se procesi pritet të zvarritet edhe për shkak të taktikave që po përdorin dy palët në takimet e Brukselit.

Krasniqi: Dy palët po përdorin taktika në dialog

Video:

“Ka taktika nga dyja palët. Ne e dina qartazi se Vuçiq është deklaruar se nuk është i gatshëm të ketë një marrëveshje të njohjes reciproke deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, që pritet të mbahen (vitin) e ardhshëm. Nga ky moment, deri në atë periudhë nuk presim domosdoshmërish që palët të arrijnë një marrëveshje, por do të shohim si do t’i jepet orientim kësaj faze të dialogut në qeverinë e re Kurti. Do të shohim sa do të arrijë Qeveria Kurti t’i jap orientimin e saj këtij procesi që ka 10 vjet që ka filluar. Po duket se Qeveria Kurti po tenton ta bëjë atë, si në takimin e parë dhe të dytë duke propozuar dhe qenë proaktiv. E dina që është një proces i kaluar dhe pritet të shihet sa do t’i jepet një orientim i ri këtij procesi”, deklaron Krasniqi.

Lidhur me mundësitë e zvarritjes së procesit të dialogut për shkak të zgjedhjeve në dy vendet, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se ata janë të përqendruar në ndihmën ndaj palëve për të përparuar në dialog drejtë marrëveshjes finale.

Sipas tij, BE-ja nuk i analizon rrethanat ose veprimet e partnerëve në dialog, pasi është në interes të Kosovës dhe Serbisë që rezultati në dialog të jetë kyç për rrugën evropiane të dyja vendeve.

“BE -ja si ndihmëse e dialogut është e angazhuar në ndihmën ndaj të dyja palëve për të përparuar në dialog me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve. Nuk është roli ynë që të analizojmë, spekulojmë ose komentojmë publikisht hapat, veprimet, deklaratat, synimet ose motivimet e partnerëve tanë në dialog. Ne jemi duke u përqendruar në arritjen e objektivit që sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të njëjtën gjë e presim edhe nga partnerët, pasi është para së gjithash është në interes të Kosovës dhe Serbisë, dhe popujve të tyre, dhe rezultati në dialogut është gjithashtu kyç për rrugën evropiane të të dyja vendeve”, thotë ai.

Në kuadër të rifillimit të dialogut deri më tani janë mbajtur dy takime të nivelit të lartë politikë, ndërsa në muajin shtator është paralajmëruar një takim tjetër ndërmjet kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Dy palët në këto takime nuk kanë gjetur pajtueshmëri për asnjë prej pikave të propozuara nga njëra-tjetra./KP